Hapja e shkollës shqipe në Saint Louis, 28 Gusht 2021

Fjalimi i mbajtur sot nga kryetari i shoqatës “Iliria” z. Pandeli Gaçe me rastin e hapjes së shkollës të gjuhës shqipe në Saint Louis, Missouri.


Vogëlushë të dashur, ju që jeni lulet e jetës sonë, ju brezat e mësuesve të nderuar dhe pjesëmarrës të këtij evenimenti me rëndësi, ju përshëndes! Jemi sot këtu, se na ka bashkuar gjuha e mëmës, gjuha e atdheut tonë të dashur, Gjuha Shqipe!


Është kjo gjuhë e bekuar që na ka përcjellë miklimin e parë, përkëdhelinë, gëzimin e habinë, me të kemi shprehur dhimbjet, dëshirat dhe ëndrrat më të bukura e më të guximshme të jetës sonë. Populli ynë që nga lashtësia me këtë gjuhë ka përcjellë, përrallat, mitet, fabulat, lirikën dhe epikën legjendare të veten dhe fqinjëve të saj, ka shkruar e na ka lënë historinë, visare të kulturës dhe dijes, vlera kaq të çmuara. Udha e saj nuk ka qenë aspak e lehtë, por u ka mbijetuar stuhive dhe rrebesheve shekullore. Kjo ka ndodhur se pushtues të shumtë kanë synuar e janë përpjekur ta shuajnë gjuhën tonë, kanë mbyllur shkolla, kanë vrarë mësues e djegur libra, kanë prishur monumente por populli nuk e lëshoi e nuk e braktisi kurrë gjuhën e tij dhe sot e ka si thesar që i shtohet dhe kulturës botërore, si një ndër gjuhët më të vjetra në botë.  


Shoqata “Iliria”, këtu në Saint Louis, që në fillimet e saj shtroi si detyrë parësore hapjen e kësaj shkolle, për vetë rëndësinë që ajo ka dhe  mbështetjen që i jep edhe SH.B.A kulturës dhe dijes së qytetarëve të saj. 
Vogëlushe e vogëlushë të dashur, sot ju u duket vetja se jeni të vegjël, se kështu ka ndodhur edhe me ne kur ishim në moshën tuaj, por ju bartni që sot me vete këtë ngjarje që do të jetë historike dhe me shumë vlera për ju dhe gjithë  shqiptarët e këtij rajoni.
Pikërisht për këtë kanë ardhur e na nderojnë me praninë e tyre dhe këta zonja e zotërinj që, gjithë jetën e tyre ia kushtuan mësimdhënies, dijes dhe kulturës shqiptare, ndaj u jemi shumë mirënjohës dhe falënderues për këtë gjest fisnik të tyre.


Tani më lejoni t’ju uroj këtë fillim emocional të kësaj shkolle për të cilën dhanë ndihmesën e tyre shumë nëna e baballarë shqiptarë dhe mësueset tuaja të dashura që bënë çdo gjë gati e që bashkë me ju do ta çoni përpara ecurinë e gjuhës dhe kulturës Shqiptare!
Ju përshëndes nga zemra dhe ju uroj fillim të mbarë shkollor!


Kryetari i Shoqatës “Iliria” Saint Louis
Z. Pandi Gaçe
Saint Louis, 28 Gusht 2021