

MIRË SE VINI
Shoqata Social-Kulturore Shqiptaro-Amerikane "Iliria"
Saint Louis, Missouri, SHBA
Të jemi bashkë, kontribues, ideatorë dhe realizues të vlerave tona intelektuale, artistike, shkollore e sportive për të gjithë komunitetin shqiptaro-amerikan në Saint Louis e përreth.
Faleminderit për mbështetjen.

Kulturë
Kalendari i eventeve
Njoftime
Votimet për bordin Drejtues 2026-28
Zgjedhja e Kryesisë së Shoqatës.
Po sot, më 17 maj 2026, në mbledhjen e parë të bordit të ri, u zhvilluan zgjedhjet e kryesisë me votim të fshehtë.
Për pozicionin e Kryetarit u propozuan tre kandidatë:
• Afet Fejza
• Elona Dyshniku
• Klodi Peshkatari
Nga 11 anëtarë të bordit, në votim morën pjesë 10.
Me 7 vota pro, u zgjodh:
Kryetar i Shoqatës ILIRIA (2026–2028)
z. Afet Fejza
Pozicionet e tjera drejtuese u votuan si më poshtë:
• Ramadan Hajdini – Nënkryetar (votë unanime)
• Valon Ibishi – Nënkryetar (votë unanime)
• Adrian Rexhepi – Sekretar (votë unanime)
• Elona Dyshniku – Financiere (votë unanime)
Dorëzimi Simbolik i Flamurit Kombëtar
Sipas traditës së shoqatës, në përfundim të procesit zgjedhor, kryetari i mëparshëm z. Besian Gjika i dorëzoi kryetarit të ri z. Afet Fejza flamurin kombëtar, si simbol i vazhdimësisë, unitetit dhe përgjegjësisë së përbashkët.
Ky akt solemn shënoi kalimin zyrtar të drejtimit dhe u shoqërua me urime për sukses në mandatin e ri nga të gjithë të pranishmit.

Veprimtari
Projekte

NJOFTIM PËR KOMUNITETIN
FESTA E LAKRORIT
Të dashur anëtarë të shoqatës dhe miq të komunitetit shqiptar në St. Louis,
Më 31 maj 2026, ora 10:00 am, te Willmore Park – Pavillon 1A, do të mblidhemi për një ditë plot diell, muzikë, ushqime të mira dhe atmosferë familjare në Festen e Lakrorit!
Amvisat shqiptare janë të lutura të sjellin ushqime tradicionale, lakrorë, byrekë, ëmbëlsira, çfarë të dëshirojnë, që të krijojmë një tryezë të madhe të shijes sonë.
Bizneset shqiptaro‑amerikane janë të ftuar të vendosin promocione, mostra, materiale prezantuese ose çdo gjë që dëshiron të njohë komuniteti. Një mundësi e bukur për t’u lidhur me njerëz të rinj.
Miqtë tanë amerikanë dhe të kombësive të tjera janë të mirëpritur të vijnë, të provojnë ushqimet tona, të dëgjojnë muzikën shqiptare dhe të shijojnë mikpritjen tonë.
Do të ketë lojëra për fëmijë, atmosferë verore dhe shumë buzëqeshje.
Ejani ta bëjmë bashkë një ditë të bukur, plot aromë, traditë dhe gëzim!
Me respekt,
Shoqata ILIRIA – St. Louis
Projektet kryesore të shoqatës janë me fokus tek fëmijët, në aspektin arsimor - edukativ dhe sportiv.
Me ndihmën e komunitetit shqiptar në Saint Louis, është mundësuar mbajtja dhe zhvillimi i mësimit në gjuhën shqipe, organizimi i aktiviteteve të ndryshme artistike, sportive, e historike në mënyrë që të ushqehet dhe kultivohet mësimi i gjuhës shqipe dhe kultura jonë e larmishme përmes bashkimit dhe forcimit të komunitetit dhe vlerave tona kombëtare
Skuadra e futbollit "Iliria"
Fundi i sezonit pranveror të futbollit për fëmijë
Sot përmbyllëm me sukses një tjetër sezon të paharrueshëm futbolli! Pavarësisht numrit të pakët fëmijët e pranishëm dhe baballarët bashkuan forcat në fushë, duke dhuruar emocione, energji dhe momente plot argëtim.
Pas lojës, festuam me pizza të shijshme dhe pije freskuese, duke reflektuar mbi kujtimet e bukura të këtij sezoni. Ky aktivitet ashtu si çdo vit është një mundësi për të krijuar lidhje, për të mësuar dhe për t’u rritur së bashku.
Një falenderim i veçantë për të gjithë prindërit që mbështetën fëmijët në çdo sfidë dhe për trajnerët që i udhëhoqën me përkushtim.
Urime të gjithë baballarëve për Ditën e Baballarëve(Father’s day)!Ju jeni heronjtë e përditshëm, frymëzimi dhe mbështetja më e madhe për fëmijët tuaj.
Gëzuar këtë festë të merituar!
Shihemi përsëri në vjeshtë për një sezon edhe më të fortë!
Thirrje të gjithë anëtarëve dhe bashkëpatriotëve tanë në Saint Louis e përreth se mbledhja e kuotave të anëtarësisë për vitin 2025 ka filluar.
Mbledhja e kuotave vjetore të anëtarësisë është shumë e rëndësishme për shoqatën pasi shërbejnë si bazë për mbijetesën dhe realizimin e veprimtarive që na bashkojnë në shumë dimensione shoqërore e kulturore.
Pagesat për anëtarësinë dhe dhurimet mund të kryhen sipas mënyrave të mëposhtme:
Me postë në adresën:
5208 Hampton Ave. St. Louis, MO 63109.
Ose si më poshtë:
(Venmo) - Shoqata Iliria
(Cash) - emër, mbiemër, adresa
(Credit Card) - në web. shoqatailiria.org
(Zelle) - shoqatailiriastl@gmail.com
(Check)pay to - Shoqata Iliria

Ftesë për përfshirje
Të gjithë shqiptarët që jetojnë në Saint Louis dhe më gjerë, jane të lutur të kontribuojnë me ide dhe projekte të ndryshme, në mënyrë që komuniteti ynë të evidentohet dhe të tregojë vlerat më të larta krah komuniteteve të tjera.
Nëse doni të ndihmoni financiarisht projektet shkollore, sportive dhe aktivitetet e ndryshme, klikoni në butonin "Dhuro Tani", çdo shumë do të jetë e mirëpritur, e vlerësuar dhe e mirëadministruar.
Faleminderit!

Një projekt i rëndësishëm i shoqatës përfshin kërkimin arkivor lidhur me historinë dhe dokumentimin e prezencës së elementit shqiptar në publicistikën e zhvilluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Saint Louis në fillimin e viteve 1900.
Kjo kolanë gazetash ka një rëndësi të veçantë, pasi botohet një vit para shpalljes së Pavarësisë (1912) dhe ka nota të larta atdhedashurie, zgjimi të vetëdijes kombëtare dhe thirrje për veprim në të mirën e interesit kombëtar.
Do paraqesim për lexuesit tre numrat e botuar nga viti 1911. Lexim të këndshëm!















